Garda Civile në Spanjë zhvilloi që prej mëngjesit të kësaj të mërkure një operacion të madh kundër trafikut ndërkombëtar të kokainës në disa provinca, përfshirë Barcelonën, ku u arrestuan rreth njëzet persona të lidhur me klanin e njohur “Farruku”, të përbërë nga shqiptarë.
El Pais shkruan se operacioni është në zhvillim e sipër me 250 agjentë të Gardës Civile që po veprojnë në Madrid, Malaga, Toledo, Barcelonë dhe Cádiz, ku përveç të arrestuarve ka dhe persona të shpallur në kërkim.
Hetimi nisi me sekuestrimin e dy tonëve kokainë në portin e Algeciras. Klani Farruku, i përbërë nga shtetas shqiptarë, njihet në Spanjë që prej vitit 2008 si i lidhur me organizatën kriminale për grabitje banesash, trafik kokaine dhe krime të ndryshme që lidhen me trafiqet e narkotikëve.
Plumba dhe vila te Gjiri i Lalzit/ Kush është super mafiozi me 10 emra që iu “prenë” krahët?
Kreu i dyshuar i klanit Farruku, Kreshnik Farruku, u arrestua në vitin 2019 në Madrid. Ai kishte një urdhër arresti evropian të lëshuar nga Italia që në vitin 2018.
Policia spanjolle e ka hetuar Farrukun për lidhjet e mundshme me grupin e shqiptarëve që në vitin 2007 sulmuan shtëpinë e biznesmenit José Luis Moreno, si dhe vrasjen e një shtetasi spanjoll në El Molar, në Madrid, në vitin 2008.
Hetuesit dyshojnë gjithashtu se Farruku qëndron pas vdekjes së “shefit” të tij në vitin 2010 në Calle Telémaco në Madrid, vrasje pas së cilës ai mori komandën e plotë të organizatës.
Ai u arrestua pak kohë pas vrasjes së “shefit”, me 20 kg kokainë në Barcelonë, të cilën do ta transportonte në Itali.
Dy vite më vonë, ai shpëtoi duke përfituar nga një leje burgu dhe u arratis nga Spanja, ku u arrestua sërish katër vjet më parë në një hotel të Madridit me vëllain e tij Erniun, i cili kishte marrë drejtimin e klanit.