Asgjë nuk harrohet. Një gjurmë në bishtin e një cigareje ka arrestuar pas 14 viteve një person të tretë për vrasjen e ish-shefit të sektorit të narkotikëve në policinë e Elbasanit Roland Rexhepit në 22 korrik 2009.
Florind Shabani i njohur në Elbasan me nofkën “Paçuku” i ekstraduar nga Gjermania do të gjykohet si pjesë e grupit që ekzekutuan shefin e policisë.
Armand Llakaj dhe Marjus Tafaj, u arrestuan më herët në 2009 dhe dënuan në vitin 2012 nga gjykata e Elbasanit, përkatësisht me 25 dhe 23 vite burgim dhe aktualisht vijojnë të qëndrojnë në burg.
Tashmë me drejtësinë do të përballet personi i tretë, i cili ishte pjesë e skuadrës së ekzekutimit, pasi gjurma e tij u gjet në furgonin që grupi kishte përdorur për të kryer krimin.