Mbretëria e Bashkuar është bërë destinacioni kryesor ku shtetasit shqiptarë, sidomos të rinjtë, po kërkojnë që të ikin. Rruga që ata po ndjekin kryesisht është përmes kërkimit të azilit.
Të dhënat përfundimtare të publikuara nga Zyra e Statistikave të Emigracionit, Mbretëria e Bashkuar dhe të përpunuara nga “Monitor” tregojnë se numri i aplikimeve për azil gjithsej nga shtetasit shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar ishte 15,925, duke shënuar një nivel rekord për këtë vend.
Në krahasim me vitet e mëparshme, aplikimet për azil janë rritur ndjeshëm. Në 2021-n numri i aplikantëve nga Shqipëria ishte 5,147, ndërsa në periudhën 2013- 2018 kishte qenë mesatarisht më pak se 3 mijë persona në vit. Nga viti 2003 deri në 2011 aplikimet nuk i arrinin as 200 në vit (shiko grafikun: Aplikimet për azil nga shtetasit shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar).
Më shqetësuese është përbërja e azilantëve sipas grupmoshave, teksa dukshëm janë moshat e reja ato që duan të ikin nga vendi me çfarëdolloj mënyre. Të dhënat tregojnë se gati 58% e aplikimeve për azil në Mbretërinë e Bashkuar në 2022-n i përkiste grupmoshave 18-29 vjeç.
Rreth 13.7% e aplikimeve janë bërë nga fëmijë më pak se 18 vjeç, shpesh edhe të pashoqëruar, teksa 42% e aplikimeve janë bërë nga vetë të miturit si aplikantë kryesorë ndërsa pjesa tjetër kanë qenë në varësi të dikujt tjetër. Në total, 72% e aplikantëve, ose 11.3 mijë të rinj, ishin të grupmoshës deri në 29 vjeç.