I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar zhvilloi sot një takim me kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Në momentin që e përcolli, Escobar, i tha Metës “shihemi së shpejti”.
Por a do të thotë kjo se Escobar, e ftoi Metën në një vizitë në SHBA? Kreu i PL-së nuk pranoi të përgjigjej duke e shmangur me një buzëqeshje dhe thirrjen për t’u parë në hapjen e fushatës në stadium.
Ditën e dytë të vizitës në Shqipëri, zëvendës Ndihmës Sekretari për Çështjet Europiane në Departamentin e Shtetit, Gabriel Escobar e nisi me zyrtarët e PD-së zyrtare.
Ai mbërriti të martën në Tiranë dhe zhvilloi takime me Presidentin Bajram Begaj, Kryeministrin Edi Rama dhe ministren e Jashtme, Olta Xhaçka.
Fokusi i këtyre takimeve janë padyshim zgjedhjet e 14 majit, vizitë kjo që vjen pak para nisjes së fushatës për 14 majin.