Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kaluar për gjykim dosjen në ngarkim të ish-kryebashkiakut të Lezhës Fran Frroku si dhe 10 zyrtarë të tjerë të akuzuar për tjetërsimin e pronave.
GJKKO ka pranuar gjithashtu gjykimin e shkurtuar. Sipas hetimeve të nisura që nga viti 2019, rezulton se janë përfituar në mënyrë të jashtëligjshme 66 mijë metra katrore tokë në bregdetin e Lezhës, me vlerë 13 milionë euro.
SPAK argumenton se është dokumentuar se në kundërshtim me ligjin janë përvetësuar sipërfaqet e mëdha, ndërsa në vitin 2021 gjykata e posaçme vendosi sekuestrimin e këtyre pronave.
Ish-kryebashkiaku i Lezhës, Fran Frrokaj, u dënua me vendim të formës së prerë me 3 vite burg për shpërdorim të detyrës dhe tjetërsim të pronave tek “Rana e Hedhun” në Shëngjin.
Fran Frrokaj është hetuar në gjendje të lirë, dhe në shtator të vitit 2020, Shkalla e Parë e dënoi me 4 vite burg, por Apeli i Shkodrës me vendimin e sotëm, vendosi t’ia ulë dënimin në 3 vite.