Gjykata e Elbasanit ka refuzuar ekstradimin drejt Moskës të ruses, Svetlana Timofeeva që u arrestua në uzinën e Gramshit dhe që akuzohet në Shqipëri për spiunazh.
Trupi gjykues pranoi kërkesën e prokurorisë duke argumentuar se në Rusi nuk respektohen të drejtat e njeriut për një proces të rregullt. Kjo ishte edhe kërkesa e vetë Svetlana Timofeeva që të mos ekstradohej.
Dy rusët Mikhail Zorin 23-vjeç dhe Svetlana Timofeeva 33-vjeç bashkë me 25-vjeçarin ukrainas Fiodor Mihailoviç, po fotografonin ambientet në Uzinën e Armëve në fund të gushtit.
Por kur tentuan që të futen brenda u pikasën nga ushtarët shqiptarë të cilët u kanë bërë me shenjë që të ndalojnë. Ata nuk iu bindën urdhrave të ushtarëve shqiptarë ndërsa njëri prej tyre i sulmoi me spraj kimik.
Të tre u arrestuan dhe po hetohen si spiunë të mundshëm. Në makinën me targa ukrainase që po përdorej prej tyre gjatë qëndrimit në Shqipëri u gjetën 2 dronë, 4 celularë, 1 laptop, 1 kamer, karta memorie, 3 pasaporta, 2 aparate fotografikë, harta.