Për herë të parë Rusia është gati të prezantojnë projektin për regjistrimin elektronik ushtarak, në përpjekje për të shtuar forcat e saj ushtarake në Ukrainë dhe për t’i përndjekur ata që i shmangen regjistrimit.
Më poshtë i gjeni disa fakte thelbësore për procedurat e regjistrimit të ushtarëve në Rusi, çfarë planifikohet të ndryshohet dhe pse.
Si regjistrohen rusët në ushtri?
Shërbimi njëvjeçar në ushtrinë ruse është i detyrueshëm për të gjithë meshkujt nga mosha 18 deri në 27 vjeç. Ekzistojnë dy periudha vjetore të rekrutimit: në pranverë dhe vjeshtë. Mund të shpallen, gjithashtu, mobilizime të njëpasnjëshme – si ai i shpallur vitin e kaluar që rekrutoi mbi 300.000 burra për të luftuar në Ukrainë – duke synuar burra në një gamë shumë më të gjerë moshe.
Sipas sistemit që ekziston deri më tani, meshkujve iu dërgohet kërkesa në formë të letrës për t’iu bashkuar ushtrisë, thirrja iu dërgohet në shtëpi apo në vendin e punës.
Ata duhet personalisht ta nënshkruajnë dokumentin si konfirmim i pranimit të saj. Në letrën e dërguar iu kërkohet të paraqiten deri në një datë të caktuar në një nga zyrat për regjistrim ushtarak.
Megjithatë, mund të jetë e vështirë për rekrutuesit ushtarakë dhe policinë të dërgojnë dokumente të tilla ose t’i gjejnë këta njerëz, pasi shpesh atyre u mungojnë adresat më të fundit të shtëpive të tyre.
Si do të rekrutohen burrat rusë në të ardhmen?
Në përputhje me planin e ri, burrat rusë do të fillojnë të marrin thirrjen me postë të regjistruar, si dhe përmes llogarive të tyre në portalin e shërbimeve publike në internet “Gosuslugi”, që është po e njëjta ueb-faqe që përdoret për të caktuar termin me mjekun ose për t’i menaxhuar pensionet shtetërore.
Sistemi i vjetër i dorëzimit të kërkesave personalisht do të mbetet gjithashtu në fuqi. Rregullat e reja do të zbatohen, si për rekrutët, ashtu edhe për burrat që janë shënjestër e mobilizimit ushtarak.
Thirrjet elektronike do të kenë fuqi ligjore që nga momenti kur do të dorëzohet në llogarinë personale të dikujt, pavarësisht nëse mbajtësi i llogarisë e ka parë apo jo.
Nëse për ndonjë arsye ftesa nuk mund të dorëzohet në mënyrë elektronike, ajo do të konsiderohet e dorëzuar shtatë ditë pas publikimit të saj në një “regjistër të thirrjeve” të sapokrijuar.
Si do t’i trajtojë Rusia personat që i shmangen rekrutimit ushtarak?
Ata që nuk paraqiten në zyrën e regjistrimit ushtarak deri në datën e kërkuar pas marrjes së thirrjes elektronike, u ndalohet menjëherë të udhëtojnë jashtë shtetit.
Ndalimi do të jetë i pacaktuar, derisa personi të raportojë në një zyrë të regjistrimit ushtarak.
Një “regjistër i unifikuar i të dhënave ushtarake” do të përmbajë informacion për këdo që i është ndaluar të largohet nga vendi dhe rojet kufitare do të kenë qasje në të.
Nëse dikush i shmanget rekrutimit, autoritetet do të autorizohen të marrin masa më të ashpra si vendosja e ndalimit të ngasjes së automjetit, ndalimi i marrjes së kredive dhe hipotekave, kufizimet në marrjen e përfitimeve, si dhe të pagesave të caktuara shtetërore.
Përveç kësaj, do të mbetet në fuqi përgjegjësia penale për shmangie nga rekrutimi. Qytetarët rusë, aktualisht, përballen me dënim prej dy vjetësh burgim për shmangie nga shërbimi ushtarak./REL