Kryeministri japonez Fumio Kishida u evakuua të shtunën nga një vend ku po mbante një fjalim pas një shpërthimi, dyshohet bombë tymuese. Një person është arrestuar për ngjarjen.
Pamjet treguan oficerët e policisë duke mbajtur të dyshuarin në tokë. Agjencia lokale e lajmeve Kyodo raportoi se një burrë ishte arrestuar, shkruan CNN.
Skenat dramatike ndodhën në qytetin e Wakayama, ku Kishida po mbante një fjalim pas inspektimit të portit të peshkimit Saikazaki. Fatmirësisht kryeministri nuk u dëmtua.
Fjalimi ishte pjesë e mbështetjes së kryeministrit për zgjedhjet e ardhshme të pjesshme për Dhomën e Përfaqësuesve në një distrikt Wakayama. Aktualisht është duke u zhvilluar fushata në zgjedhjet vendore të Japonisë.
Incidenti rikujtoi skenat e vrasjes së ish-kryeministrit japonez Shinzo Abe, i cili u qëllua në korrik të vitit të kaluar.
Abe, kryeministri më jetëgjatë i Japonisë, u qëllua teksa mbante një fjalim për fushatën para një turme të vogël pranë një stacioni hekurudhor në qytetin Nara dhe vdiq në spital.