Shtrenjtimi i çmimeve të vilave dhe apartamenteve në bregdet po vijon edhe në vitin 2023. Në apartamentet e reja në zonat rezidenciale në Vlorë dhe Sarandë, sipas agjencive të pasurive të patundshme, çmimet e apartamenteve janë rritur 40% më shumë krahasuar me 2022.
Në bregdetin e Durrësit dhe Qerretit, çmimet e pronave në vijën e parë janë shtrenjtar 15%. Agjencitë e pasurive të patundshme pohuan se arsyet kryesore të rritjes së çmimeve janë kërkesa e lartë nga të huajt dhe shtrenjtimi i materialeve të ndërtimit.
Në resortet turistike, që kanë nisur punimet këtë vit, si në Orikum të Vlorës apo Sarandë, çmimet e apartamenteve variojnë nga 2,500 deri në 3,500 euro për metër katror.
Rritje të lartë ka edhe për çmimet e vilave. Vilat elitare në bregdet po shiten me çmimin e 1,6 mln eurove, 33% më shumë se vjet.
Shtrenjtohet Durrësi, Golemi dhe Qerreti 15%; Me çmim ekonomik, vetëm ndërtimet e para 15 viteve
Edhe këtë vit, çmimet e apartamenteve në zonat bregdetare të Durrësit kanë vijuar tendencën e rritjes.
Shtrenjtimi më i lartë është për pronat në vijën e parë të ndërtimit, që kanë arritur nivelin maksimal prej 1,500 euro/m² nga 1,300 euro që u shitën vjet (rritja 15%).
Në vitin 2021, maksimumi i çmimit për ndërtimet e vijës së parë p.sh., në zonën e Shkëmbit të Kavajës arrinte deri në 750 euro.
Arian Gjuzi, broker i agjencisë imobiliare “Century 21 EON” në Durrës nënvizoi për “Monitor” se çmimet në vijën e parë bregdetare të zonave si: Durrës, Plazh, Golem, Shkëmbi i Kavajës dhe Qerret janë rritur 100 deri në 200 euro.
Z.Gjuzi shton se rritja është ndikuar nga kërkesa e lartë për këto prona dhe oferta e ulët. Sipas tij, pronat po blihen kryesisht nga çekët, polakët apo shqiptarët e diasporës, me qëllim investimi dhënie me qira./monitor