Kryetari i komanduar i PD-së, Enkelejd Alibeaj ka reaguar duke denoncuar se po sulmohet nga mediat e financuara nga Sali Berisha pasi bëri pyetjen se ku i gjen ish-kryeministri lekët për të bërë fushatë në stadium dhe nëpër Shqipëri.
“Prej dy ditësh, altoparlantët politikë të non-gratës për korrupsion masiv dhe minues i demokracisë, Sali Berishës, dhe mediat e financuara prej tij dhe familjes së tij, kanë filluar një sulm ndaj meje, vetëm e vetëm se unë kam ngritur thjesht një pyetje, që në fakt është një pyetje që e bëjnë të gjithë shqiptarët: Ku i gjen paratë Sali Berisha” shkruan ai.
“Në fakt nuk i ka shqetësuar çështja e parave dhe financimeve, sepse ato kanë 33 vite që i fshehin në bashkëpunim me mediat e tyre, por se përse Erion Veliaj, ortaku i tyre politik dhe ekonomik, ka bërë të njëjtën pyetje.
Pyetja duhet të ishte drejtuar dhe Sali Berishës dhe Erion Velisë, sepse që të dy e dinë ku i gjen paratë Berisha. Sepse ditën bëjnë sikur zihen, ndërsa natën shijojnë lejet e ndërtimit dhe marrëveshjet okulte me kryebashkiakun, përfaqësues të oligarkisë së ndërtimit.
Si ka mundësi që Sali Berisha nuk përmend asnjë oligark, bashkëpunëtor të Erion Velisë në ndërtimet e Tiranës?! A ka kurajo non-grata për korrupsion masiv dhe minues i demokracisë, të denoncojë lejet e ndërtimit të dhëna nga Erion Veliaj?
Përgjigjia është shumë e thjeshtë: janë ortakë politik dhe ekonomik. Oligarkët i kanë bashkë, paratë i ndajnë bashkë, politikën duan që ta zaptojnë bashkë.
E megjithatë, përtej dallavereve politike të Sali Berishës që nuk i beson më askush, thelbi mbetet, pyetja mbetet: Ku i gjenë paratë Sali Berisha? Për përgjigjen, pyesni Erion Velinë. Ai di shumë më shumë se unë dhe se ne bashkë, se ku gjenden këto para” shkruan ai.