Zyra e kryeministrit ka reaguar pasi Parlamenti Evropian ka miratuar liberalizimin e vizave për Kosovën, për këtë kjo zyre thotë se “Falë punës sonë u arrit zhbllokimi i procesit”.
Nënshkrimi pritet të bëhet të mërkurën, ku të pranishëm do të jetë zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi.
Për këtë zyra e kryeministrit ka dhënë detaje për procedurën pas miratimit nga Parlamenti Evropian.
”Liberalizimi i vizave tashmë është realitet. Ditën e sotme u votua pozitivisht në Parlamentin Evropian dhe vendimi final mbi liberalizimin e vizave. Ai do të nënshkruhet zyrtarisht ditën e nesërme në Strasbourg nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli i BE-së, ku do të jetë prezent dhe zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi
Rregullat e reja mbi heqjen e regjimit të vizave për Kosovën do t’i lejojnë qytetarët të udhëtojnë në BE pa viza për një periudhë qëndrimi prej 90 ditësh në çdo periudhë 180 ditore. Kosova i kishte plotësuar të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave me kohë, por deri më tani mungonte konsensusi në mesin e vendeve anëtare për avancimin e procesit. Falë punës së Qeverisë sidomos në fushën e sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit e menaxhimit të migrimit u arrit zhbllokimi i procesit dhe bindja e institucioneve të BE-së dhe vendeve anëtare se Kosova meriton përfundimin e procesit të liberalizimit të vizave dhe se vendi ka bërë progres e arritje të rëndësishme në fushat relevante”.
”Pas një pritjeje të gjatë, ky është një moment kyç i përafrimit të vendit tonë me familjen evropiane”, përmbyllet njoftimi.
Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që i nënshtrohet regjimit të vizave.