Prioritet për qeverinë italiane duket se është lufta kundër lindjeve të ulëta. Sipas agjencisë italiane Ansa, ministri italian i Ekonomisë, Giancarlo Giorgetti po shqyrton përjashtimin e familjeve me të paktën dy fëmijë nga tatimi mbi të ardhurat, në mënyrë që të inkurajojë çiftet të kenë fëmijë dhe të ndryshojë normën në rënie të lindjeve në Itali.
Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni theksoi se qeveria po kërkonte mënyra për të inkurajuar njerëzit që të kishin fëmijë pasi agjencia kombëtare e statistikave Istat raportoi se niveli i lindjeve në Itali ra në një nivel të ri rekord në vitin 2022.
Vitin e kaluar, lindjet ranë nën kufirin e 400,000 duke arritur në 393,000 , raportoi Istat.
Nga ana e saj, Laura Boldrini, e Partisë Demokratike të qendrës së majtë (PD), kritikoi planin e përmendur: “Jo, ministër Giancarlo Giorgetti. Ju duhet t’u ofroni të rinjve, burra dhe gra, punë të qëndrueshme dhe paga të mjaftueshme për të planifikuar të ardhmen e tyre dhe për të qenë në gjendje të qëndrojnë në Itali”.