Spektatorët në një cirk në Kinë u tmerruan kur dy luanë dolën nga kafazi i tyre gjatë një shfaqjeje.
Në videot që janë publikuar, luanët shihen duke dalë nga kafazi i hekurt që ishte instaluar për performancën e tyre me shikues të frikësuar, shumë prej të cilëve ishin me fëmijët e tyre, duke u përpjekur të largoheshin.
Madje, një nga luanët ia doli deri në rrugë përpara se të kapej më në fund.
Incidenti i tmerrshëm ndodhi në një shfaqje të cirkut Global Peak International të shtunën në mëngjes në provincën Henan.
Sipas njoftimit zyrtar të autoriteteve, luanët “fatmirësisht” janë kthyer në kafazet e tyre brenda 15 minutave pa u lënduar.
Njëkohësisht është dhënë urdhër për drejtuesit e cirkut që të ndalojnë shfaqjet dhe të rishikojnë masat e sigurisë.