Qeveria zyrtarizoi sot vendimet për rritjen e pagave në administratë. Ministrja e Arsimit Evis Kushi njoftoi vendimin për rritjen më të madhe të bërë ndonjëherë më parë, siç tha ajo, të pagave për mësuesit, vitin e ardhshëm. Ministrja njoftoi se rritje pagash do të ketë edhe për pedagogët.
“Kemi marrë vendimin që vitin e ardhshëm, të kemi një nga rritje më të mëdha ndonjëherë të pagave të mësuesve. Që do të jenë nga 23 deri në 36 përqind, në varësi të pozicioneve të tyre, sigurisht në varësi të përvojës dhe kualifikimeve që ata kanë. Paga e një mësuesi të shkollave 9-vjeçare do të jetë deri në 95,550. Ndërkohë që për arsimin e mesëm të lartë, do të jetë 106,800 lekë paga bruto”.
“Këtë herë kemi marrë vendim për një rritje më të madhe. Do të jetë 30 përqind rritja e pagave të pedagogëve, ku 20 përqind do të mbulohet nga buxheti i shtetit dhe pjesa tjetër sigurisht nga të ardhurat e vetë institucioneve të arsimit të lartë”. Gjithashtu u miratua rritja e pagave për sektorin e sigurisë. Shifrat i prezantoi ministri i Brendshëm Bledi Çuçi dhe Ulsi Manja për sektorin e Burgjeve.
“Sot u miratua rritja për zjarrfikësit, gardën dhe policinë. Në sektorin zjarrfikëses paga shkon në 14%, në gardë në këtë fazë rritja bëhet sipas gradave, më e ulëta rritet 22% nga shtatori dhe në gradat e tjera ngfa 7-10% dhe sistemi i policisë kemi një rritje që shkon nga 7% deri në 25% për inspektorët” tha Çuçi. “Pagat e policisë së burgjeve do të barazohen me punonjësit e policisë së shtetit” tha Ulsi Manja.