Sali Berisha këtë fundjavë ka zbritur në jug. Sot ishte në Këlcyrë ku prezantoi kandidatin për kryetar bashkie, Arjan Kasaj dhe ftoi qytetarët që të votojnë për ndryshimin në 14 Maj. Një mesazh direkt e kishte për familjet në nevojë dhe pensionistët. Ai tha se nga rritja e çmimeve, çdo shqiptar ka humbur një rrogë më shumë vetëm në ushqime dhe të moshuarit dy pensione.
“Çfarë ndodhi këto tetë vite me ne? Në vend se nga viti në vit të kishim një përmirësim ekonomik, një gjendje më të mirë, vështirësia ekonomike erdhi gjithnjë në rritje sepse Edi Rama ngriu rrogat. Nuk ka akt më të pashpirt që mund të bëjë një kryeministër sesa ngrirja e rrogave e pensioneve.
Nga rritja e çmimeve, çdo shqiptar ka shpenzuar më shumë për ushqime 430 mijë lekë, sipas ekonomistëve të pavarur. Pra, çdo shqiptar ka humbur një rrogë më shumë vetëm në ushqime. Çdo pensionist ka humbur dy pensione.
Edhe në vende të tjera u rritën çmime, por qeveritë e tjera ua kthyen paratë qytetarëve të mbledhura nga rritja e çmimeve. Kosova rriti me 100 euro pensionet, 100 euro u dha studentëve, 120 euro u dha rrogëtarëve. Kurse ky, paratë që mblodhi, 520 milionë euro nga rritja e çmimeve, i ndau për lukset e veta dhe klientelën e tij” tha ai.