Është shtyrë edhe seanca e dytë në Gjykatën Kushtetuese për padinë e grupit të PD kundër VKM-së së qeverisë për ndërtimet pa leje. Në seancën e sotme pritet të shqyrtohej padia e 28 deputetëve për shfuqizimin e VKM-së për rregullat dhe procedurat për konfiskim për interes publik të objekteve të ndërtuara për qëllime përfitimi.
Përfaqësuesi ligjor i PD-së Marash Logu së bashku me deputetët Bardhi e Çupi kanë siguruar 3 firma të reja të PD-së, Petrit Doda, Oriela Nebiaj dhe Zheni Gjergji për të rrëzuar pretendimet e qeverisë.
Por, gjykata vendosi edhe sot shtyrjen e seancës, ndërsa menjëherë pas marrjes së vendimit, ka reaguar në një deklaratë për gazetarët edhe deputeti Gazment Bardhi.
“Shkaku për të cilën seanca u shty ishte një argument absurd i Këshillit të Ministrave për të zvarritur këtë proces. E njëjta trupë gjykuese e përbërë nga të njëjtë të nëntë gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese ka vendosur një standard të ri duke zvarritur edhe më tej këtë çështje.
Nëse është betuar për t’ju bindur dy individëve, të na e bëjë me dije që të mos harxhojmë edhe ne kohë që është me urdhër të Edi Ramës dhe pronarit të godinës shumëkatëshe të Çet Kastratit.
Nuk ka ndodhur kurrë që të jenë 2 deputetë nënshkrues në seancë. Ne duam të vazhdojë gjykimi dhe ndërkohë gjykata e shtyn me ditë të tjera. Sot gjeti një shkak tjetër për ta shtyrë akoma dhe më tej këtë çështje, ndërkohë që sipas ligjit çështja duhet të ishte shqyrtuar muaj më parë.
Nëse oligarkët që kanë kapur gjithçka, kanë kapur edhe Gjykatën kushtetuese, të na e bëjnë me dije që edhe ne të mos harxhojmë kohën kot.”, u shpreh ndër të tjera në deklaratën e tij Gazment Bardhi.