Vizita në Stockholm e zëvendëskryeministrit të parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, vijoi me takimin e përbashkët me Sekretarin e Shtetit për Çështje Evropiane, Christian Danielsson.
Rrugëtimi i Kosovës në proceset e integrimit evropian ishte në fokus të diskutimeve. Derisa Bislimi ka theksuar se Kosova ka bërë përparim të dukshëm në përmbushjen e reformave dhe agjendës evropiane.
Në njoftimin e Zyrës e Qeverisë, zëvendëskryeministri Bislimi foli mbi zhvillimet pozitive evropiane për Kosovën si liberalizimi i vizave, kalimi i etapës së parë në anëtarësimin në Këshillin e Evropës dhe nevojën për të ecur tutje në fazat e ardhshme me aplikimin për anëtarësim në BE, të cilat do ishin fillimisht marrja e pyetësorit e më tej statusi i vendit kandidat.
“Vendi ynë ka shfaqur dhe treguar përkushtimin ndaj vlerave evropiane e vullnetin për të avancuar drejt standardeve evropiane. Orientimin e Kosovës e dëshmuan më së miri Raporti për Vendin i Komisionit Evropian i vitit të kaluar e po ashtu dhe rangimet e vazhdueshme pozitive e në rritje të vendit në indekset ndërkombëtare si Transparency International, World Justice Project, V-Dem Democracy Index, Freedom House e shumë të tjera”, citohet të ketë thënë Bislimi, transmeton Telegrafi.
Në komunikatën thuhet se ata shfaqën avancimin e Kosovës në fusha kyçe si lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, sundimi i ligjit, demokratizimi, zhvillimi ekonomik e mbrojtja e të drejtave kolektive e lirive individuale.