Fillimisht, ajo mendoi se po ta ndihmonte Donald Trump-in për të blerë veshje të brendshme grash në një dyqan luksoz do të ishte thjesht “diçka argëtuese në Nju Jork”.
Sipas E.Jean Carroll, madje edhe kur ish-sipërmarrësi e orientoi drejt dhomave të ndërrimit, ndërsa sfidonin njëri-tjetrin për të provuar një palë të brendshme transparente, ajo imagjinoi diçka të ngjashme me një skeç që kishte shkruar për emisionin humoristik “Saturday Night Live”.
Por shumë shpejt, “e gjithë arsyeja që isha gjallë në atë moment ishte për t’u larguar nga ajo dhomë”, dëshmoi zonja Carroll të mërkurën në gjyqin për padinë e saj për përdhunim.
“Jam këtu pasi Donald Trump-i më përdhunoi, dhe kur shkruajta për këtë, ai tha se nuk ka ndodhur. Ai gënjeu dhe dëmtoi reputacionin tim dhe unë jam këtu që të përpiqem të rifitoj jetën time”, u tha zonja Carroll anëtarëve të jurisë gjyqësore.
Ndërsa ajo u ul në bankinë ku shpesh u përlot, nga larg zoti Trump përsëriti këmbënguljen e tij se pretendimi i zonjës Carroll për një përdhunim në vitin 1996 është krejtësisht sajesë. Ai e quajti çështjen “një mashtrim i sajuar”.
“Kjo është një histori mashtruese & false – Gjueti Shtrigash!”, shkruajti zoti Trump në platformën e tij të mediave sociale, Truth Social.
Komentet e tij e shtynë gjykatësin që të paralajmërojë avokatët e zotit Trump se ai mund t’i sjellë kështu vetes probleme të mëtejshme ligjore.