Asnjë nga gjashtë anëtarët e skuadrës së vrasjes së biznesmenit Ardian Nikulaj në Lezhë nuk është arrestuar. Të gjithë u arratisën brenda pak orëve pas ekzekutimit. U larguan nga pika të ndryshme të kalimit për të humbur gjurmët.
Por policia kopsiti dosjen duke zbuluar lëvizjet e organizatorit spiunëve dhe ekzekutorit Ruben Saravia. Nga hetimet ka rezultuar se njëri anglezët që erdhi në Shëngjin nuk u regjistrua në hotel për të mos lënë gjurmë.
Britaniku Harry James Simpson, i cili ka pasur rolin e vëzhguesit të afërt, është me 27 precedentë penalë për drogë e vjedhje në Britani. Ai ka mbërritur në 11 Prill. Recepsionisti nuk e ka regjistruar me pasaportë.
Harry James Simpson ka pasur një valixhe me vete dhe ka shtyrë qëndrimin çdo ditë deri pasditen e 19 Prillit. Ai e bënte pagesën çdo ditë.
Sipas dëshmisë së recepsionistit, ditën e ngjarjes ai ka dalë në orën 09:00 të mëngjesit dhe është kthyer rreth drekës duke i treguar recepsionistit për plumbat te lokali ku kishte qenë dhe ka kërkuar një taksi.
Me taksi është nisur në orën 14:30 dhe ka mbërritur në aeroportin e Rinasit në orën 15:30. Është filmuar nga kamerat e aeroportit të hyjë në tualet e të ndërrojë rrobat.
Ka berë check-in dhe në 21:34 është fiksuar te pika e kontrollit të pasaportave, ku ka tentuar të kalojë pa e skanuar. Është thirrur nga policët dhe më pas është regjistruar.