Në Shqipëri, gazetarë të terrenit, që pasqyrojnë veprimtaritë politike shprehën sot shqetësim për shkeljet e etikës në media dhe mbulimin e fushatave zgjedhore me video të gatshme nga partitë.
Ata pohuan se kandidatët partiakë janë izoluar nga mediat dhe këto të fundit detyrohen që të transmetojnë materialet audio-vizive të parapërgatitura nga partitë dhe shtabet e fushatës.
Gazetarë të jetës politike në Shqipëri u bashkuan sot përreth një tryeze me organizatën “Demokracia në Fokus” dhe Fondancionin Konrad Adenauer me shqetësimin e përbashkët se presionet e politikës po i detyrojnë mediat që të shkelin rregullat e etikës së profesionit, dhe të transmetojnë materiale propagandistike të parapërgatitura nga partitë.
Ata pohuan se zhvillimi tej mase i rrjeteve sociale dhe mediave online ka nxjerrë jashtë përdorimit kuadrin ligjor të deritanishëm dhe sipas tyre, kjo pjesë duhet rindërtuar plotësisht në dobi të etikës së medias.
Merita Haklaj, një nga gazetaret me përvojë në raportimin e jetës politike të vendit thotë se veprimtaritë e fushatës nuk janë më me intensitetin e dikurshëm të tubimeve nga mëngjesi deri në darkë, por është fuqizuar intensiteti i pasqyrimit të tyre në mediat online.