Çmimet e apartamenteve në kullat luksoze që po ndërtohen në Tiranë ofrohen në nivelet e kullave në Dubai.
Në një nga zonat rezidenciale në qytetin e Marina Dubai çmimet e apartamenteve nisin nga 5,100 euro për metër katror, ndërsa në zonë detare afër portit Rashid çmimet e apartamenteve nisin nga 4,900 euro për metër katror. Diferencë e ngushtë çmimesh vihet re edhe për apartamentet në resortet luksoze që po ngrihen në jug të vendit.
Sipas të dhënave të një prej agjencive të pasurive të patundshme “Continental Investments LMD LLC” në Dubai në kompleksin rezidencial “Marina Living” në qytetin Marina Dubai prona më e lirë me sipërfaqe 71 metër katror kushton në vlerën e 363,755 eurove. Çmimi për metër katror llogaritet rreth 5,100 euro.
Vjet çmimi i apartamenteve në një nga ndërtimet luksoze Tiranës “Book Building”, që ka filluar të ndërtohet pas Sahatit arriti në vlerën e 5,000 eurove për metër katror sipas zyrës së shitjes së kontaktuar nga Monitor.
A do shtrenjtohen më çmimet në Tiranë?
Çmimet e apartamenteve në kryeqytet kanë arritur pikun e tyre. Në ndërtimet e reja si zona e ish Bllokut çmimet e apartamenteve ofrohen me 3,500 euro për metër katror. N
ë ndërtimet e reja në hyrje të Komunës së Parisit çmimit kanë arritur 2,200 euro për metër katror.
Çmimet e bregdetit
Në bregdetin shqiptar çmimet e pronave në resortet e reja që kanë nisur të zhvillohen kanë arritur në nivelin e 3,500 eurove për metër katror.
Çmimet e apartamenteve në jug të Shqipërisë nuk kanë diferencë të madhe me ato të Dubait, tashmë i kthyer në destinacion “brand”, si për ndërtimet dhe cilësinë e jetesës.
Në “Dubai Maritime City” zonë detare afër me portin, aeroportin, transportin publik çmimet e apartamenteve në vijën e parë nisin nga 4,900 euro për metër katror./monitor