Ende nuk ka asnjë gjurmë për dy personat e zhdukur në Sarandë, Leonard Thodhori i njohur si “Koçole” dhe Fatmir Sulovari alias Fatmir Krasniqi të dy nga 46-vjeç.
Të dy u denoncuan të zhdukur nga familjet disa ditë më parë. Por ende nuk ka asnjë gjurmë të tyre. Familjarët, por edhe persona që dyshohet se mund të ketë pasur konflikt janë marrë në pyetje.
Pistë konkrete nuk ka, por fokusi është përqendruar te e shkuara e tyre me precedentë penalë dhe një pronë. Grupi hetimor ka dyshime se “Koçole” mund të jetë rrëmbyer me një makinë tip “Benz” e cila është fiksuar nga kamerat e sigurisë me lëvizje të dyshimta.
Makina e Leonard Thodhori u gjet e braktisur çka shton dyshimet se mund t’i jetë bërë pritë dhe mund të jetë marrë me forcë. Nëna ka treguar amanetin e djalit.
“Djali më tha “o nëna do të dëgjosh diçka”. Po i thash, të dëgjon nëna. “Po mungova një ditë, po mungova dy ditë, qaje Nardin, po ik në polici dhe denonco”. Unë vajta menjëherë o biri i nënës. Nardi u zhduk. O bir i nënës kush të vrau, vura duart në kokë” tha ajo te “Uniko”.
Zhdukja e “Koçoles”/ Çfarë e lidh me dy vrasjet e bujshme në Tiranë?
Kush janë dy personat e zhdukur?
- Leonard Thodhori, 46 vjeç i njohur si “Koçole”. I dënuar disa herë. I dyshuar si pjesëmarrës në Masakrën e Qafë-Gjashtës në vitin 1997 ku u vra oficeri i policisë Gjergj Mehmeti. Në vitin 2003 ka qenë prezent në automjetin që drejtohej nga Andrea Gjini para se ky i fundit të vriste biznesmenin Jaho Bajo. I arrestuar po atë vit për “moskallëzim krimi” lidhur me një ngjarje tjetër të kryer nga Gjini. I arrestuar më pas për “vjedhje” e “mashtrim”. Përdorues i lëndëve narkotike dhe i dyshuar si i përfshirë në trafik lëndësh narkotike.
- Fatmir Sulovari alias Fatmir Krasniqi, 46 vjec. I dënuar më parë për “armëmbajtje pa leje” dhe “plagosje e lehtë me dashje”. I arrestuar në prill 2022 në Lushnje, pasi në mjetin e tij “BMW” X5 u gjet një sasi cannabis sativa e ndarë në doza gati për shitje.