Kryeministri Edi Rama ka përmbyllur mbrëmjen e sotme takimet me qytetarët në qarkun e Korçës. Në një takim me qytetarë të Korçës, ai tha se Pusteci dhe Maliqi do të jenë dy zona kyç për turistët e shumtë në të ardhmen.
“Sot mund ta flasim por disa vite më parë nuk mund as ta diskutonim, që Korça ka nevojë për Maliqin për ta fuqizuar më tutje ofertë ne vetë turistike. Maliqi punëtor që ka prodhuar tërë jetën, nuk ka qenë kurrë një vend ku mund të imagjinohet se do kishte turistë të huaj.
Maliqi do bëhet një nga dhomat e pritjes së këtij qarku për turistët e panumërt që do vijnë këtu. Sot është Pusteci një qytezë e vogël e cila ka filluar të marrë frymë por ka në dispozicion një thesar, që i duhet Korçës si një tjetër vlerë e shtuar.
Kur shikoni të ardhmen drejt 2030-ës kuptoni që nuk bëhet fjalë më për disa bashki të ndara nga njëra-tjetra, por për një unitet të madh mes disa bashkive që qendër graviteti ka Korçës dhe rreth saj pikat që e bëjnë të prodhojë shumë më tepër ekonomi dhe zhvillim”- u shpreh Rama.
Ai bëri thirrje që qytetarët të mos gabojnë dhe të votojnë për kandidatët e tjerë politikë të cilët sipas tij nuk kanë asnjë lloj prespektive për zhvillimin e bashkive, përveçse t’i përdorin këto të fundit në ‘luftën’ kundër qeverisë. Kryesocialisti tha se do të ishte e turpshme që të votonin për kandidatët e koalicionit Meta-Berisha, kur ky i fundit është i shpallur “non-grata” nga SHBA-të.