Janë luajtur sot dy ndeshjet e parë të turneut ndërkombëtar “UEFA Development U-16” për djem, që do të zhvillohet në Shqipëri dhe organizohet nga Federata Shqiptare e Futbollit. Në këtë turne përveç Shqipërisë U-16 marrin pjesë edhe Moldavia, Azerbajxhani dhe Ishujve Faroe, teksa risia e madhe e këtij edicioni është padyshim zhvillimi i sfidave në fushat e “Shtëpisë së Futbollit”.
Kombëtarja kuqezi debutoi me sfidën ndaj Moldavisë U-16, teksa ndeshja është ndjekur nga një numër i konsiderueshëm tifozësh që kishin mbushur tribunën e njërës prej fushave të kompleksit më modern në vendin tonë. Ndeshja përfundoi me fitoren 3-0 të Shqipërisë U-16 me një paraqitje mjaft të mirë të kuqezinjve.
Trajneri Ervin Bulku hodhi në fushë këtë formacion titullar: Leonard Kolgecaj, Murselo Dervishi, Kleo Shpuza, Renato Halili, Jetmir Laze, Xheto Xhoi Nuredini, Eraldo Karaj, Tedi Malaj, Ergis Arifi, Oresti Rifa, Rinaldo Nela.
Ndeshja tjetër e luajtur sot Ishujt Faroe – Azerbajxhan përfundoi me fitoren 2-4 të azerëve, me sfidën që prodhoi gola dhe emocione deri në minutat e fundit. Ishujt Faroe ishin për një pjesë të mirë të ndeshjes në avantazh, por Azerbajxhani mundi të përmbyste gjithçka duke triumfuar me meritë.