Deputetja e PD-së Albana Vokshi ka reaguar pas shembjes së fasadës së shkollës në Ersekë.
Vokshi tha se ndërsa nga njëra anë shembej fasada e kësaj shkolle, kryeministri Rama mbillte pemë në kodrat e qytetit, ndërsa krah tij ishin edhe mësuesit. Vokshi i ka bërë thirrje KQZ të marrë masa ndaj shkeljeve.
Deklarata e plotë:
Fasada e Rilindjes së Edi Ramës ra dje në Ersekë, në kohën kur ai po merrej pikërisht me fasadën dhe pikërisht në Ersekë. Ndërkohë që kryeministri mbillte pemë në kodrat e qytetit, në qendër të Ersekës shembej fasada e shkollës 9 vjeçare, Papa Kristo Negovani.
Falë Zotit, ngjarja, që mund të ishte dje një dramë, nëse fëmijë të shkollës mund të kishin qëlluar afër sipërfaqes së murit që u shemb, nuk rezultoi më shumë se një komedi. Për Ramën, por edhe për të gjithë zinxhirin drejtues të arsimit në Kolonjë. Të gjithë shefat e arsimit, për turpin e tyre, ishin në krah të Ramës.
Disa qeshnin, ndërkohë që kryeministri bënte sikur mbillte pemë, ndërkohë që vetëm disa qindra metra më larg një pjesë e shkollës Papa Kristo Negovani ishte shembur. Siç do ta shihni në pamje, ishin dje me Ramën, në shkelje të ligjit, që ua ndalon arsimtarëve të bëjnë fushatë:
Zonja Zhaneta Prifti, përgjegjëse e Zyrës së Arsimit në Kolonjë.
Muharrem Doçi, drejtor i shkollës Papa Kristo Negovani, që u shemb.
Zonja Zamira Meto, drejtoreshë e gjimnazit Petro Nini Luarasi.
Lopatën Ramës ia mbante drejtori i Ujësjellësit të Kolonjës, Enea Jorgji. Këtij të fundit i falet roli i shërbestarit, por arsimtarëve dhe drejtuesve të Arsimit, në asnjë mënyrë. Ata janë në ato detyra për t’i shërbyer arsimimit dhe edukimit të fëmijëve të Kolonjës, jo për të qenë shoqëruese të kryeministrit në aktivitete partiake, në shkelje të ligjit dhe të kodit etik