Avokati Idajet Beqiri ka dorëzuar në SPAK kallëzimin e radhës për Sali Berishën e familjen e tij, po ashtu për tre ish-ministra e disa persona të tjerë, për çështjen e privatizimit të ARMO-s.
“Kërkohet fillimi i procedimit penal dhe kryerja e hetimeve, pasi personat SALI BERISHA, ish Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, GENC RULI, ish ministër i ekonomisë, RIDVAN BODE, ish ministër i Financave, Florjan Mima, ish ministër i Ekonomisë, SOKOL DERVISHAJ, ish Zëvendësministër i Energjetikës, REZART TAÇI, biznesmen, LIRI BERISHA, Fondacioni Fëmijët Shqiptar “Domenico Scaglione”, ARGITA BERISHA, ERINDA BALLANCA, Erinda Ismailaj, BRISIDA SHEHAJ, FATJON VEIZAJ, JAMARBËR MALLTEZI, FLUTURA KOLA, në kuadrin e krijimit, organizimit dhe drejtimit të grupit të strukturuar kriminal kanë kryer veprat penale të “Fshehja e të ardhurave” parashikuar nga neni 180 i K.Penal;
“Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga neni 245 i K.Penal; “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarim, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, parashikuar nga neni 257/a i K. Penal;
“Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 i K. Penal dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287 i K. Penal”, thuhet në kallëzimin e avokat Beqirit.
Në kallëzim thuhet se shitja e ARMO ishte një akt i rëndë kriminal, i bërë në prag të fushatës elektorale të vitit 2009, me qëllim që Sali Berisha, përmes korrupsionit dhe pastrimit të produkteve që rrjedhin prej këtij krimi, domethënë prej shitjes “de jure” të ARMO, të kishte bollëk eurosh në familjen e tij, si dhe për të patur para të bollshme për fushatën elektorale për t’i fituar zgjedhjet e vitit 2009, siç i fitoi.