Ish-kryeministri Sali Berisha mbylli sot fushatën në Sarandë, Himarë, Delvinë dhe Konispol për zgjedhjet e 14 Majit. Shigjetoi kandidatin socialist Oltion Çaçi në Sarandë dhe akuzoi Belinda Ballukun, zv/ kryeministre, se ka shkuar në Konispol me valixhe me Lekë për të blerë vota.
“Mafia zbret Belinda Ballukun nga Peshkopia në Konispol me valixhe me para sepse ajo është…në Ballkan pas Edi Ramës është hajdutja më e madhe. Ajo zbrazi digat gjithë verën e kaluar në një kohë që ligji nuk e lejon.
E shet energji 20-30 Euro sekserëve të saj dhe ata e shesin në bursë me 180 Euro dhe i fusin lekët në xhep. Tre javë më parë inauguruan bursën dhe doli na tha “tani nuk ka më, do të shitet energjia në bursë”. Po ku u shit dy javë më parë? Përsëri me tender dhe me ato para ka shkuar tek demokratët e Konispolit me para.
Çamëve të Konispolit u them se ajo duhet të ishte njeriu i fundit që mund të shkelte në Konispol sepse gjyshi i saj ka qenë xhelati i procesit makabër që Enver Hoxha zhvilloi kundër çamëve. Ajo duhet të kërkonte falje në emër të gjyshit për atë që u bëri djemve të Çamërisë” tha ai.