“Problemet kryesore të Elbasanit janë varfëria, papunësia, shpopullimi dhe mjedisi. Elbasani është qarku i dytë më i varfër pas Kukësit dhe bashkia e pestë në vend”. Kështu deklaroi mbrëmjen e sotme kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” Luçiano Boçi në studion e emisionit “5Pyetjet nga Babaramo”.
“Sot kemi një tjetër përbindësh, inceneratori. Rezultati sa e ka pastruar dhe sa e ka ndotur duhet parë te parametrat. Inceneratori është ndërtuar mbi damkën e hireve të kombinatit. Inceneratori u ndërtua me teknologji të vjetër.
Në momentin e djegies çlirohen gazra që ndikojnë drejtpërdrejt tek njerëzit dhe nuk është një metodë që konsiderohet nga BE. Ajo që është këshilluar nga BE është landfillimi. Inceneratori i Elbasanit u mor në Rumani nga një incenerator i mbyllur, karakatinë e lyer dhe zbukuruar, e vendosur në Elbasan” tha ai.
Rivalin e sfidoi në debat. “Kryetari aktual rri në hije, nuk shfaqet si personazhi kryesor i fushatës, i pëlqen kjo pjesë pasi kompenson keqqeverisjen. Njëherë fshihet pas Gjiknurit. Luftën unë nuk e kam me kandidatin dhe në radhën e luftës njëherë del Rama dhe njëherë Gjiknuri me qëllim që të mos kenë pjesën e braktisjes së votës nga qytetarët.
Gara duhet të jetë mes dy kandidatëve, jo si personale, por një garë mes ideve dhe vizioneve për qytetin. E kam ftuar për të dalë përballë në debat. I kërkoj zotit Llatja të dalë në një studio që të dalë dhe të shpalosim vizionin për qytetin” tha ai.
Gara në Elbasan/ Boçi te “5Pyetjet”: Rama e kaloi vijën e kuqe! Nuk trembem