Kryeministri Edi Rama ishte sot në Kuçovë duke kërkuar një tjetër mandat për Kreshnik Hajdarin. Ai tha se kryetari aktual i bashkisë ka mbështetjen e tij në 14 Maj dhe se nuk e diskutojnë fitoren por sa i thellë do të jetë rezultati. Rivalët i sulmoi sërish.
“Kandidatët e tyre nuk kanë të ardhme. Kreshniku ka të gjithë mbështetjen time dhe tonën këtu. Kurse ata kanë vetëm faqen e zezë. Asnjë derë nuk u hapet në Europë atyre.
Çfarë donatorësh do të vijnë këtu të financojnë? Edhe kur nuk ka qenë kështu, cilën bashki e morën dhe e çuan një hap përpara” tha Rama.
Pak muaj më parë kryetari i Bashkisë Kuçovë, Kreshnik Hajdari u denoncua se ishte dënuar nga drejtësia greke për akuzën e “Kalimit të Paligjshëm të Kufirit” dhe se e kishte fshehur.
Hajdari pranoi se është dënuar në Greqi, por theksoi se nuk ka qenë në dijeni të këtij vendimi.