Njoftimi i policisë:
Himarë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Parts 2”, sekuestrohen rreth 1500 doza të lëndës narkotike kanabis, gati për shitje.
Kapen dhe vihen në pranga 2 shtetas që shpërndanin doza të lëndës narkotike kanabis, në qytetin e Himarës.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë, në bashkëpunim me Seksionin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Vlorë, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme me fokus parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Parts 2”, si rezultat i të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit:
-O. B., 33 vjeç dhe L. H., 32 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Gjatë kontrollit fizik dhe kontrollit në camperin që këta shtetas kishin në përdorim, shërbimet e Policisë gjetën rreth 1500 doza të lëndës së dyshuar narkotike kanabis, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me 1 aparat celular.
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta 2 shtetas bashkëpunonin me njëri-tjetrin, për shpërndarjen e dozave të kanabisit, kryesisht për turistët, në lokalet e natës, në qytetin e Himarës.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.