Prokuroria ka marrë në dorë një tjetër dëshmi të të penduarit të drejtësisë Klevis Alla në lidhje me katër të vrarët në Durrës në 2019. Alla ka folur mbi vrasjen e dy vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhia, por edhe Dorian Shkozës e Anxhelo Avdisë. Klevis Alla dëshmon në gjykatën e posaçme dhe përjashton nga vrasja e vëllezërve Haxhia, Talo Çelen dhe Altin Ndocin.
“Besmir Haxhia ishte tek dyqani i agjencisë dhe s’ka vonuar shumë, ka ardhur tek tregu i ShënVlashit. Asnjë nuk ishte në dijeni që Besmiri ishte me vëllain e tij Viktorin. Sapo makina “Golf 6” është afruar, Nuredin Dumani ka ulur xhamin e makinës dhe ka qëlluar, ndërsa ekzekutori tjetër ka qëlluar me xham të mbyllur”, ka treguar Klevis Alla.
Sipas të penduarit Klevis Alla, pasi ka qëlluar mbi dy vëllezërit, Nuredini ka zbritur nga makina dhe i është afruar viktimave dhe ka qëlluar sërish mbi ta. “Më pas ata kanë lëvizur drejt varrezave ku Nuredini dhe personi tjetër kanë zbritur dhe kanë marrë rrugën drejt Tiranës”, është shprehur ai.
Më tej i penduari i drejtësisë tregon se Dumani e ka braktisur makinën “Benz” disa metra poshtë varrezave ku ka hedhur edhe armët e zjarrit. “Kam dalë për të pirë kafe me një shok dhe pastaj kam shkuar tek makina e braktisur dhe e kam lëvizur pak më poshtë, pasi në zonë po lëvizin disa policë”, tha ai.