Katër ditë na ndajnë nga zgjedhjet lokale të 14 Majit ku do të vendosen 61 kryetarët e rinj të bashkive. Masat do të jenë të forta. Policia e shtetit do të angazhojë 5500 efektivë në garantimin e mbarëvajtjes së zgjedhjeve të 14 majit. Në total 7 mijë punonjës kanë marrë trajnimin e duhur përzgjedhjet lokale në bashkëpunim me OSBE dhe KQZ.
Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet transportimit dhe ruajtjes së materialeve zgjedhore. Ndërhyrja e tyre brenda ambienteve të QV-ve bëhet për raste emergjente ose përndryshe vetëm me kërkesë nga kryetari i qendrës së votimit.
Pas përfundimit të procesit të votimit në orën 19:00, përmes një procedure të përcaktuar, policia do të bëjë shoqërimin e kutive të votimit drejt KZAZ-ve. 74 objekte të rëndësishme shtetërore do të merren në ruajtje nga forcat “Komando”, pasi 228 punonjës të policisë që sigurojnë këto objekte, do të angazhohen me detyrë për sigurimin e objekteve zgjedhore.