Policia e Shtetit ka reaguar pas ngjarjes së ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në banesën e kandidatit të Partisë Socialiste për Bashkinë e Hasit, Beqir Mulaj, makina e të cilit u shkrumbua nga flakët brenda në garazh.
Sipas policisë, pas marrjes së njoftimit, ekipet e zjarrfikëseve dhe hetuesit shkuan në vendin e ngjarjes dhe u bë i mundur shuarja e flakëve, ndërsa njofton se kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve të zjarrit, nëse kemi të bëjmë me një ngjarje aksidentale apo një zjarrvënie të qëllimshme.
Kandidatit socialist për kryetar Bashkie në Has i djegin makinën luksoze në garazh!
“Has/Informacion paraprak: Rreth orës 00:04, salla operative e Komisariatit të Policisë Has është njoftuar se ka rënë zjarr në garazhin në pronësi të shtetasit B. M., në aksin rrugor “Krume-Golaj”.
Shërbimet e Policisë dhe ato zjarrfikëse kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, ku është bërë i mundur neutralizimi i flakëve, me qëllim mospërhapjen e zjarrit. Si pasojë e flakëve, është djegur plotësisht automjeti në pronësi të shtetasit B. M.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, vijon veprimet hetimore, me qëllim përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit.”, njofton Policia në lidhje me ngjarjen.