Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka marrë pjesë në diskutimin me temë “Siguria kibernetike.
A është dezinformimi kërcënimi i radhës?”, në kuadër të Konferencës për Integritetin e Informacionit të organizuar nga NDI.
Gjatë këtij diskutimi Kurti tha se kemi një mbrojtje solide por jo të mjaftueshme sa i përket sulmeve kibernetike.
“ Besoj që e kemi një mbrojtje solide por jo të mjaftueshme. Kemi pasur dy raste më të theksuara të sulmeve DIDOS në serverët e qeverisë dhe ia kemi dalur përkundër pengesave që na kanë shkaktuar. Pra nuk kanë arritur të depërtojnë në sistem, të na dëmtojnë sistemin mirëpo na e kanë vështirësuar funksionimin”, tha Kurti.
Kryeministri shtoi se sulmet kibernetike nuk janë vetëm të tilla që duan të të dëmtojnë apo të vjedhin, por kemi edhe sulmet në kuadër të luftës hibride.
“Ne po marrim mësime dhe nga rasti i Shqipërisë, por nuk janë sulmet vetëm të tilla që duan të të dëmtojnë apo të vjedhin, ka edhe sulme në kuadër të asaj që po quhet lufta hibride pra depërtimi me qerek të vërteta, me lajme të rrejshme e shpesh herë edhe me histori të rrejshme të cilat nga qendrat e caktuara bëhen publike”, tha Kurti.
Kurti shtoi se në njërën anë kemi sulmet kibernetike mbi sistemet qeveritare e jo vetëm dhe në anën tjerër kemi edhe ato të cilat janë sulme që nuk kanë qëllim rënien e sistemit por deformimin e opinionit.
Ai ka thënë se adresimi i rrezikimit të sigurisë kibernetike kërkon bashkëpunim me aleatët.