Deputeti i PD-së, Oerd Bylykbashi, pjesë e grupit të Sali Berishës ka denoncuar sipas tij përpjekjet që po bëhen në Durrës për manipulimin e votave përmes sistemit elektronik. Në një deklaratë për mediat nga selia blu, ai shpjegoi manipulimin që sipas tij po bëjnë socialistët.
“Po bëhen përpjekje të sabotohet funksionimi i sistemit të identifikimit elektronik dhe biometrik i identifikimit të zgjedhësve nëpërmjet presioni, urdhrash politikë të jashtëligjshme apo korruptimi mbi operatorët teknikë të sistemit dhe ata të mos paraqiten në detyrë më 14 maj.
Qëllimi është që të shmanget ky sistem që zbulon votimin e shumfishtë apo në vend të personave që nuk janë në Shqipëri, duke përdorur letërnjoftimet e tyre. Në vend të tij të përdoret mënyra e vjetër me listat e printuara me nënshkrime që është hequr që në vitin 2021.
I kërkojmë KQZ-së që të marrë masa të plota e energjike që të sigurojë mirëfunksionimin e sistemit të identifikimit elektronik e biometrik në çdo qendër votimi në të gjithë territorin dhe të ndëshkojë çdo shkelje.
Paralajmërojmë se mosparaqitja në krye të detyrës e operatorëve të pajisjve të identifikimit, njësoj si nga komisionerët e qendrës së votimit, përbën braktisje të detyrës dhe dënohet penalisht. Çdo veprim që saboton funksionimin e pajisjeve do të ndëshkohet me forcën e ligjit” tha ai.