Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Luçiano Boçi së bashku me ish-kryminsitrin, Sali Berisha mbyllën fushatën për qytetin e Elbasanit.
Gjatë fjalës së tij ai u shpreh se prej të dielës bashkia do të hapet për qytetarët dhe vendimmarrja do jetë në duart e tyre.
“Në këtë shesh është mbajtur mitingu i parë i PD-së. Shumë njerëz mendojnë se ky bashkëpunim i yni po i afrohet çastit final. Bashkëbisedimi ynë sapo ka filluar. Prej të dielës bashkia do hapet për qytetarët e saj.
Fitorja jonë krijon horizonte të reja për demokracinë. Prej javës tjetër vendimmarrja është prona juaj si kurrë më parë. Unë dua të shpreh mirënjohjen për këto javë të fushatës. Ju keni qenë bindës, të vërtetë dhe imponues.
Mësimi kryesor është se e vërteta ka qenë dhe mbetet prona më e çmuar e njerëzve të thjeshtë. Kjo qeveria ju ka zhvlerësuar trojet dhe ju ka vjedhur cilësinë e jetës duke u varfëruar deri në dëshpërim.
E vërteta juaj nuk ka humbur. Zemra e kësaj fushate mbetet e vërteta juaj për ndryshim dhe përparim e siguri.
Mijëra më folën për rrugët e pashtruara, askush nuk u ankua se nuk ka ku t’i japë Ferrarit. Rrugët janë të shkatërruara, ndotja nga inceneratori është e madhe. Ujërat e zeza mbulojnë lagjet.
Qindra prindër m’u ankuan për shkollat e kopshtet. Dhjetëra nxorën lakuriq propagandën boshe të një regjimi që ngre flamuj të kuq tenderësh kudo që shkel. Zgjidhja jonë nis te bashkimi i qytetarëve, socialistë apo demokratë. Deri sot shqiptarët e kanë përballuar krizën duke u larguar nga vendi. Unë besoj se mund t’i zgjidhim problemet tona sot në Elbasanin tonë.” u shpreh Boçi.