Shkodra u zgjua sot e tronditur. Për herë të parë në këto 30 vite pluralizëm kryeqendra e veriut do të drejtohet nga një i zgjedhur me siglën e Partisë Socialiste të Shqipërisë.
Miti u thye. Por kush ndikoi për të arritur te suksesi historik i së majtës në “kështjellën” blu? Strategjia ishte nisur kohë më parë. Të paktën mbi gjashtë muaj.
Nisur nga fakti që në 30 vite nuk arriti asnjëherë të fitonte me një kandidati politik, Edi Rama i besoi Benet Becit për dy arsye.
E para sepse kishte një profil të ulët politik dhe pompohej më tepër si menaxher i mirë dhe së dyti sepse vinte nga e djathta, një ish-bashkëpunëtor i ngushtë i Sali Berishës.
Por për të fituar Shkodrën nuk mjaftonte vetëm një personazh jo politik dhe një fushatë qytetare larg gjuhës së urrejtjes dhe një opozite të përçarë.
Këtu futen në lojë “bajraktarët” e zonës. Me Tom Doshin në xhep që është një faktor i sprovuar në Shkodër, Edi Rama i “rrëmbeu” Ilir Metës deputetin Agron Çela.
Ndikimi i tij është real. Jo më kot largimi i tij nga Partia e Lirisë u pasua me sulme. Në fund qershia mbi tortë për imazh ishte Luiz Ejlli që u kthye në fenomen në “Big Brother VIP”.
Tre ditë përpara zgjedhjeve këngëtari që është bërë “mbreti” i rrjeteve dhe adhurues i Sali Berishës u shfaq në krah të Benet Becit duke bërë thirrje për ta votuar.
Kush ndikoi më shumë apo më pak, kjo i mbetet analizës së PS-së kur të ndajë “tortën” por të gjithë bashkë arritën që të formonin gjerdanin mavi në Shkodër.