Zhvillimet e vrullshme social-ekonomike në Shqipëri, gjatë viteve të fundit, kanë sjellë pasiguri të mëdha në radhët e të rinjve.
Duke u bazuar në statistikat zyrtare, sociologët thonë se rënia e ndjeshme e numrit të martesave dhe rritja e numrit të divorceve, e vendosin familjen shqiptare në krizë.
Sipas tyre papunësia e lartë në radhët e të rinjve me afro 20%, emigracioni, dhe informaliteti në ekonomi janë arsyet kryesore që ata e shtyjnë moshën e martesës.
Studiuesit thonë se pasojat e këtij fenomeni do të sjellin plakjen e popullsisë dhe thellimin e raportit negativ mes kontribuesve dhe përfituesve në skemën e sigurimeve shoqërore. Zyrtarët thonë se kanë marrë masa për të rritur punësimin dhe sigurinë e të rinjve në tregun e punës, por efekti i tyre për ekspertët është ende i ulët.
Në Shqipëri gjatë viteve të fundit po vihet re një fenomen shqetësues për studiuesit e zhvillimeve shoqërore, ai i rënies së numrit të martesave. Në dekadën e fundit ato janë tkurrur me rreth 18% krahasuar më atë paraardhëse, dhe po kaq në vitin 2021, ose me rreth 4 mijë më pak, krahasuar me mesataren e 5 viteve të fundit.
Studiuesit mendojnë se të rinjtë sot e shtyjnë moshën e martesës të kushtëzuar nga disa faktorë, që lidhen me karrierën, arritjet profesionale, punën dhe të ardhurat financiare. Sipas statistikave të INSTAT, sot papunësia në radhët e të rinjve të moshës 15 deri 29 vjeç është mbi 20%, ose 10 pikë përqindje më e lartë se niveli i papunësisë në tërësi.
Këto tregues sipas ekspertëve ulin mundësitë për krijimin e familjes dhe të sjelljes në jetë të fëmijëve. Zëri i Amerikës pyeti disa qytetarë, mes tyre dhe të rinj, mbi këtë fenomen. Ata veçuan si pengesën kryesore, për krijimin e martesës, mundësitë e kufizuara ekonomike./VOA
Artikulli i plotë këtu.