Lot, dhimbje, heshtje dhe qirinj. Në shkollën “Asllan Shahini” të Gramshit ka pllakosur zija. Fatjon Bici nuk do të ulet në bankën e tij si çdo mëngjes, krah shokut të klasës. Në vendin ku Fatjoni, vetëm 16-vjeç, do të ulej, sot qëndrojnë një tufë me lule, ndërsa shokët e shoqet e tij të klasës nuk i mbajnë dot lotët. E gjithë klasa e të riut është në lot.
Jashtë, në rrugën pranë shkollës, aty ku Fatjoni u godit për vdekje, bashkëmoshatarët kanë vendosur lule dhe kanë ndezur qirinj. Policia e Elbasanit njofton se ka vënë në pranga katër adoleshentët e përfshirë në sherrin masiv që shkaktoi një të vdekur në lagjen “Sporti 2” të qytetit të Gramshit.
Kështu, sipas policisë, në pranga kanë rënë Xh. Ç., 15 vjeç, O. Ç, 14 vjeç, E. K., 15 vjeç dhe S. M., 16 vjeç, të cilët akuzohen se, kanë plagosur me mjete prerëse (thika), shtetasit e mitur F. B., 16 vjeç dhe M. L., 15 vjeç. Si pasojë e plagëve të rënda, F. B. ka humbur jetën, ndërsa shtetasi M. L. vijon të jetë në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.