Ëngjëll Brahimi, një shqiptar që dyshohet se ka jetuar në Montreal të Kanadasë prej vitesh me një identitet të rremë për të shmangur burgun në Shqipëri, ku është dënuar në mungesë për vrasjen e një oficeri policie dhe djalit të tij, u lirua me kusht në gjykatën e Montrealit ku ai ka kundërshtuar urdhrin e ekstradimit.
Gjyqtari i Gjykatës së Lartë, François Dadour ra dakord me kërkesën e avokatëve që përfaqësonin 60-vjeçarin shqiptar që ai të lirohej ndërkohë që çështja e ekstradimit është në pritje. Gjykatat shqiptare pretendojnë se Brahimi vrau oficerin e policisë, Astrit Braçe, dhe djalin e tij 8-vjeçar, Asllanin në një pritë me armë zjarri më 10 gusht 2000.
Megjithatë gjykatësi vendosi një sërë kushtesh që Brahimi duhet të zbatojë. Përveç kushteve standarde të lirimit me kusht që ai të ruajë qetësinë, të respektojë një karantinë dhe të paraqitet në datat e ardhshme gjyqësore, një palë e tretë ra dakord të bënte një depozitë garancie prej 20 mijë dollarësh për të mbështetur kërkesën e Brahimit për lirim me kusht. Brahimi dhe gruaja e tij gjithashtu ranë dakord të vendosnin si garanci 100 mijë dollarë të pronës që zotëronin. Qeveria shqiptare kërkoi ekstradimin e Brahimit duke pretenduar se ai jeton prej vitesh në Kanada me emrin Piro Kota.