Presidenti i zgjedhur i Malit të Zi, Jakov Milatoviç sot do të bëjë betimin dhe do të marrë detyrën e kreut të vendit. Në përurim, përkatësisht, në ceremoninë e betimit, që mbahet në Parlamentin e Malit të Zi, do të marrin pjesë rreth 200 personalitete, duke përfshirë zyrtarë nga fqinjësia, ambasadorë dhe të dërguarin special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Gabriel Escobar.
Në ceremoni do të marrin pjesë edhe deputetë të Parlamentit të Malit të Zi, përfaqësues të qeverisë, autoriteteve gjyqësore, si dhe presidenti i deritashëm i Malit të Zi, Millo Gjukanoviç, të cilin Millatoviç e mposhti bindshëm në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, në fillim të prillit.
Pjesa qendrore e qytetit të Podgoricës është bllokuar që nga mëngjesi, si dhe rruga për në aeroport. Pas intonimit të himnit kombëtar, si dhe betimit të Millatoviçit, ai do të mbajë fjalimin inaugurues, pas së cilit do të mbahet përshëndetje ceremoniale ushtarake në platonë para Parlamentit.
Pas kësaj, Millatoviq do t’i presë të ftuarit në një drekë, ndërkaq në orët e vona të pasdites, në Vilën shtetërore Gorica, ai me bashkëshorten do të presin rreth 700 të ftuar.
Në mesin e tyre do të jenë presidenti i Kroacisë, Zoran Millanoviç, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ndërkaq nga Presidenca e Bosnjë e Hercegovinës të pranishëm do të jenë Zhelko Cvijanoviç dhe Zhelko Komshiç.