Në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, më 21 maj, u mbajt ceremonia e hapjes së stërvitjeve ushtarake të ushtrisë amerikane dhe NATO-s në Evropë, “Defender Europe 2023” [Mbrojtësi i Evropës 2023].
Nga sot e deri më 2 qershor, Kosova do të jetë nikoqire e stërvitjes më të madhe ndërkombëtare në rajonin e Ballkanit, “Defender Europe”, që do të mbahet në Babaj të Bokës të Gjakovës.
Në ceremoninë e hapjes morën pjesë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Bashkim Jashari, ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier dhe figura të tjera publike.
Duke ju drejtuar ushtarëve të FSK-së, Osmani tha se ata janë “gardianë të paqes dhe sigurisë, në një botë gjithnjë e më komplekse dhe në zhvillime gjithnjë e më sfiduese”.
“Ky ushtrim ndërkombëtar është një simbol i vendosmërisë sonë kolektive për ta ruajtur paqen dhe stabilitetin në një botë që po sfidohet vazhdimisht. Është një kujtesë që forca jonë nuk qëndron vetëm në fuqinë e armëve tona, por në lidhjet që krijojmë, në aleancat që ne ndërtojmë dhe në vlerat e përbashkëta që i kultivojmë”, tha ajo.
Ndërsa, Kurti tha se kjo është ngjarja më e madhe stërvitore ushtarake që ka ndodhur ndonjëherë në Kosovë.
“Mbi 1.300 ushtarakë të FSK-së do të ekzekutojnë detyra stërvitore ushtarake, në krah të 24 mijë ushtarakëve të forcave të armatosura të 25 vendeve të NATO-s dhe vendeve partneret të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha ai.
Ministri Mehaj tha se Kosova do të jetë vendi i katërt – me më së shumti ushtarakë që do të marrin pjesë në këtë stërvitje – në mesin e 25 vendeve pjesmarrëse./rel