Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka mbledhur kryesinë e Partisë për të dikutuar për zgjedhjet e 14 majit.
Sipas tij opozita i humbi zgjedhjet nga shit-blerja e votave dhe presionin e bërë nga administrata ndaj qytetarëve.
“Procesi zgjedhor i 14 majit, ishte një fitore e krimit ndaj lirisë të së zgjedhurit, shkrirje e policisë me krimin kundër vullnetit të lirë të qytetarëve. Grupet kriminale dolën hapur krah partisë pushtet e policia nuk ndërhynte e nuk [paraqitej askund ku denoncoheshin të tilla veprime kriminale.
Qindra pajisje të identifikimit elektronik nuk punonin sa të gjithë e panë sa edhe kryetari i KQZ ishte viktimë e këtyre pajisjeve. Boja në gishtin e votuesve fshihej menjëherë.
U gjakosën komisionarë nga kriminelë të Rilindjes në administratë e bandat e saj aktive. QV u kthyen në bordello Rilindase ku dhunohej çdo ligj.
Qindra milion euro të pista u hodhën në fushatë për të blerë vota dhe një fakt që provon këtë është edhe rënia e kursit të euros.
Një armatë e tërë ministrash e administratë sulmuan QV me presion ndaj votuesve.
Dhjetra milion euro u hodhën në mënyrë të paturpshme për asfalt elektoral.
Për devijimin e rezultatit në momentin e fundit, një rol kryesor luajtën burgjet, shembull ishte kutia e fundit e burgut në Rrogozhinë.
Detyrë e jona të thellojmë dokumentimin e krimit ligjor, të vijojmë kontestimin ligjor të çdo rezultati të kësaj natyre.
Të përgatitemi për të rikthyer zërin e opozitës në pushtetin vendor, që nuk rezultonte në 4 vite”, tha ai.