Arrestohet në Malësi të Madhe njëri nga autorët e dyshuar të shpallur në kërkim gjatë fazës së dytë të megaoperacionit policor antikanabis të koduar “Alpe të pastra”.
55-vjeçari i ndaluar, Ajet Delishaj dyshohet se ka kultivuar 6300 fidanë narkotikë në tokë dhe 20300 fidanë të tjerë në kubikë, të cilët u gjetën dhe u asgjësuan nga policia 3 ditë më parë.
Kanabisi u zbulua gjatë kontrollit të territorit të fshatrave Gruemirë dhe Çesme, Malësi e Madhe. Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë hetimet e thelluara për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.