Një nga 36 partitë dhe koalicionet që morën pjesë në zgjedhje ditën e diel në Greqi mori vetëm një votë dhe kjo gjë tërhoqi vëmendjen e mediave dhe vetë kandidatit për kryeministër. Pas numërimit të 99,7% të votave, Partia Ekologjiste e Greqisë e politikanit veteran Dimosthenis Vergis mori vetëm një votë dhe kjo vetëm në zonën Athina 1.
Ky rezultat është më i keqi për Vergis në 15 palë zgjedhje ku ai ka marrë pjesë që prej vitit 1993. Arritja më e madhe e tij ishte në vitin 2004 për zgjedhjet europiane kur mori më shumë se 33 mijë vota.
Në zgjedhjet e së dielës, partia e qendrës së djathtë, Demokracia e Re, e kryeministrit Mitsotakis siguroi 41 për qind të votave, të përkthyera në 146 vende në parlament, 5 më pak nga sa i duhen për të krijuar shumicën për të qeverisur e vetme.
Rivali i qendrës së Majtë, Alexis Tsipras shënoi një rezultat zhgënjyes me vetëm 20 për qind të votave. Mitsotakis tha se rezultati kishte treguar se grekët i kishin dhënë partisë së tij mandatin për të qeverisur e vetme, gjatë 4 viteve të ardhshme.