Nuk ka më asnjë pengesë që kompania të nisë punën për parkun “Eden” në Kryeministri. Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka firmosur kontratën me kompaninë “Fusha” e cila është fituese e tenderit për instilacionin me një fond 398 milionë lekë apo rreth 3.6 milionë euro. Në datë 26 Maj në faqen e Agjencisë së Prokurimit Publik u bë njoftimi se tashmë kontrata është lidhur. “5Pyetjet.al” ju sjell dokumentacionin e publikuar.
Në dosjen e tenderit ka edhe një përshkrim mbi parkun dhe arsyet e këtij vendimi për ta ndërtuar. “Koncepti i ‘Eden-it’ është përgjigje e situatës që krijohet në oborr. Në vend që të vendoset një kopsht në tokë, krijohet një kopsht 3-dimensional që siguron funksione rekreacioni, gjallërie dhe kohe të lirë në nivele të ndryshme.
Eden është një zgjidhje e qëndrueshme dhe e gjallë për një oborr që krijon vend, një strukturë e hapur dhe e depërtueshme për kohë të lirë private dhe evente publike, një spektakël i bërë nga njeriu, dhe një përkujtuese ndaj natyrës së humbur prej kohësh në mjediset tona të ndërtuara.
Trarët prej druri të ndërthurur kryq përbëjnë një kornizë modulare kubike 6x3x4, që shërben si strukturë” thuhet në dokumente. Vitin e kaluar ky projekt solli debate dhe akuza të forta nga opozita që theksonte se qeveria po harxhonte lekët për luks në një kohë krize. Megjithatë Edi Rama nuk hoqi dorë.