Misteri nuk do të zgjidhet kurrë. Prokuroria e Durrësit pezulloi hetimet për vdekjen e 4 shtetasve rusë në saunën e një hoteli në zonën e Qerretit më 15 Tetor 2021.
Kjo për shkak se autoritetet ruse nuk i janë përgjigjur asnjë kërkesë të palës shqiptare mbi të shkuarën e 4 personave që humbën jetën. Shkaku i vdekjes së Natalia Burenkovës 58 vjeçe, Sergei Burenkovës 60 vjeç, Nikita Belousov 37 vjeç dhe Ekaterina Burenkova 31 vjeçe nuk do të merret vesh kurrë.
Trupat e pajetë të 4 turistëve u gjetën nga stafi i hotelit ku ata ishin akomoduar së bashku me pjesën tjetër të grupit që gjithashtu kishin ardhur për të vizituar për disa ditë Shqipërinë. Dyshimi kryesor mbetet vdekja nga asfiksia në prani të një substance ende të papërcaktuar nga hetimet e deritanishme.
Disa javë pas ngjarjes u krye dhe një eksperiment hetimor në ambientet e SPA-së së hotelit dhe pikërisht në zonën e pishinës ku u gjetën të vdekur katër rusët. Sipas mjekësisë ligjore, vdekja e njëkohshme ka ardhur nga asfiksia, po pa arritur të përcaktohet se nga cilat shkaqe u shkaktua ajo që të çonte në reagim të njëjtë te 4 rusët.