-sidi education-spot_img
9.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Bedri Islami: Takimi me Ramiz Alinë, disa biseda të incizuara dhe dy “Katovicat”

Kryesoret

Askund tjetër, si në Shqipëri, në më shumë se tri dekada, nuk ka pasur stanjacion të tillë në elitën politike, që, në fakt, nuk ka qenë elitë.

Ndërkohë që kudo në kontinentin e vjetër ka pasur lëvizje tëndryshme, figura të njohura kanë gjetur pasuesit e tyre, apo të rinjtë kanë bërë vendin e kërkuar, në Shqipëri, e gjithë ajo që mund të quhet klasa politike drejtuese e vendit, numërohet me gishtat e një dore, që, si njësi autokrate e politikës, kanë bërë më shumë dëm, se kanë patur përparësi.

E gjithë periudha pas komuniste në Shqipëri njeh vetëm disa emra drejtuesish, të cilët, më shpesh të lidhur me njëri tjetrin, se kundër njëri tjetrit, krijuan oligarkinë politike, po aq e dëmshme, në mos më shumë se oligarklia financiare, dhe shpesh herë vazhdim i njëra tjetrës.

Berisha, Meta janë në politikë që nga viti 1991, kur në shtetin e madh gjerman ishte Helmut Kohl; të njëjtët janë edhe tani, megjithëse në vendin e madh janë ndërruar kancelarë, presidentë, ministra e burra shteti që kanë bërë pjesë në elitën drejtuese të vendit; që nga viti 1998 është edhe shefi i qeverisë së tanishme, që në 26 vite jetë politike, 24 prej tyre ka qenë në pushtetin e kryebashkiakut të Tiranës dhe, më pas të qeverisë; vasalë të njërit apo tjetrit, në vite të ndryshme, vazhdojnë të jenë të njëjtit drejtues të partive të vogla, të cilët, shpesh herë nuk kanë asnjë autobuz me antarë, por përsëri vegjetojnë.

Nga i gjithë KOP-i i opozitës në vitin 2005, koha kur erdhi në pushtet, gjysma e tyre janë shpallur tradhtarë dhe të padëshiruar, një pjesë është jashtë Shqipërisë, “timonieri” ka mbetur. Lulzim Basha, ish drejtuesi i zgjedhur me dorë nga kreu i foltores, që kërkon të rikthehet, pasi erdhi nga një strehë e lidhur me Kosovën dhe hetimet ndaj liderëve të UÇK-së, po bën lëvizjet e fundit, të cilat, shumë shpejt, do i lërë në fatin e tyre.

Ajo që mbetet, ndoshta edhe për disa vite, do të jetë pamja ballore e drejtuesve që nuk bëjnë dot pa pushtetin. Kjo ndodh edhe në të majtën, ku fryma e re është larg mendimit, përballjes dhe saktësisë politike. Është e pa formësuar si ardhmëri politike,  dhe e ngritur apo e rënë sipas dëshirës së Njëshit.

Përse ndodhi kështu në Shqipëri? A ka një fillim e gjithë kjo?

—–

Në shtatorin e vitit 1992, krejt papritmas, miku im i vyer, Shaban Sinani, pa asnje dyshim njëri ndër dijetarët më të çmuar në gjithë trevat shqipfolëse, më tha se, Ramiz Alia, i cili kishte tashmë disa muaj që nuk ishte më presidenti i Shqiperisë, kishte dëshirë të takohej me mua. Edhe unë kisha dëshirë të takoehsha me të, nuk e kisha takuar asnjëherë më parë dhe, si ndodh rëndom, nuk do e takoja asnjëherë më edhe në të ardhmen.

Isha gazetar i Zërit të Popullit, dhe pa droje mund të them se isha ndër më kryesoët e asaj periudhe, kur shumë nga ata që për shumë vite kishin punuar aty, tashmë kishin ikur. Të ikurit ishin shpallur opozitarë fillimisht, pastaj ishin bërë nga zërat e partisë që kishte ardhur në pushtet, Partisë Demokratike.

Ishim pak vetë në gazetë dhe na duhej të bënim disa shkrime në ditë. Ishin shkrimet e para kundër një regjimi që po vendosej ashpërsisht, përmes dhunës, dhe tash më vjen mirë që kam qenë nga zërat e paktë kundër kësaj politike të prapshtë. Të shkruash sot për bëmat e Sali Berishës është qejf, të shkruaje para dy dekadave për atë që kishte filluar të bënte ai, ishte e vështirë, për të mos thënë se ishte nga gjërat më të rrezikshme.

Kisha thuajse çdo ditë nga një shkrim e më shumë se aq: njerëzit po largoheshin nga puna përmes disa copa letrash që i gjenin pas portave; këto kanë qenë largimet e para masive me urdhërin e një partie që po instalonte diktatin e saj;  dhuna e rrugës, si kundërvënie e lirisë, po sundonte kudo, kishte një ngutje të jashtëzakonshme për rehabilitimin e kujtdo që kishte qenë i nëpërkëmbur në të djeshmen, deri edhe tek krimineletët e luftës; të burgosurit si agjentë të Serbisë, jo vetëm po rehabilitoheshin, por edhe ishin deputetë, ndonjëri edhe ministër apo në Gjykatën e Lartë; kisha serbe po hidhte rrënjët e para në veriun e vendit, ndersa në jug kishte filluar shtrirjen kisha greke; enigma e vrasjeve të 2 prillit kishte rënë mbi gjithçka që mund të ndodhte në të ardhmen, përmes rrënimit njerëzit prisnin mrekullinë, por ajo nuk po vinte.

Disa ditë më parë kisha botuar në gazetë, në disa numra radhazi, shkrimin “Stop qeverive të tipit Verlaci”, dhe pikërisht në këtë kohë, krejt befas, më erdhi ftesa e ish -presidentit të shtetit shqiptar, Ramiz Alia.

Nuk e dija përse më kërkonte, por edhe unë kisha dashur të takohesha me të. Ishte njëri ndër drejtuesit kryesorë të një pushteti që kishte shkuar, për më tepër, kishte qenë mik i babait tim, Zenel Islami. Enigmën e vrasjes së tim eti mendoja se do e kisha përmes rrëfimit të tij, pasi kishte ardhur koha të dija më shumë se sa kisha lexuar në dosjen e tij në Ministrinë e Brendshme, e po ashtu, edhe më tepër se do të lexoja disa vite më vonë në një një dosje tjetër të tij, në Arkivin Qendror të Shtetit.

E gjithë kjo më është kujtuar këto ditë, kur njëra nga enigmat e kohës, ajo e Katovicës, doli edhe një herë në sipërfaqe, për tu pohuar një herë nga një njeri disi larg saj, e për tu mohuar dy herë nga dy njerëz që ndodheshin brenda saj.

Ka më shumë se 20 vite që kjo histori përsëritet, herë pas here enigmat rreth saj janë shtuar, herë herë gjërat kanë qenë më të qarta, por, sido që të ketë ndodhur, ajo është shfaqur e plotë në politikën shqiptare, e për fat të keq, është shfaqur më e dhimbshme se kudo tjetër.

Edhe atë ditë, në ndenjën e gjatë, disa orëshe me Ramiz Alinë, është biseduar për një gjë të tillë, megjithëse nuk është përmendur asnjëherë fjala Katovicë, marrëveshje apo diçka e ngjashme.

Kur unë shkova tek ai, i shoqëruar nga një njeri i besuar i zotit Alia, në katin e dytë të një pallati afër qendrës, njeriu i parë që takova ishte vjehrra e bijës së tij, shkodrane e vjetër, Mili, motra e heroit të popullit, Ahmet Haxhia, njëri ndër qëndrestarët e Vigut. Ne njiheshim prej viteve, mund të them se e njihja gjithë familjen e saj që kur kisha lindur, me nënë Lajen, e njohur për stoizmin e saj e të tjerët. Duke qenë nip i Gjylbegajve, unë isha i lidhur njëkohësisht edhe me familjen e tyre.

Në të vërtetë bisedën që ka lidhje me Katovicën nuk e fillova unë. Unë kisha shkuar në shenjë respekti për njeriun që më kishte ftuar, por edhe për të ditur më shumë për jetën e vdekjen e babait tim. Kisha botuar pak ditë më parë një tjetër shkrim, “Unë, djali i Zenelit të Migjenit”, dhe e dija se Ramiz Alia ishte në dijeni të këtij fakti.

Nuk ndodhi ajo që pritja. Zoti Alia më tha shkurt se asaj kohe, kur kishte ndodhur ngjarja me babain tim ai kishte qenë thjeshtë kanditat i Byrosë Politike, jashtë kësaj sfere, se kishte dëgjuar vetëm përciptasi për ngjarjen e kjo kishte qenë në instancat e tjera të shtetit. Më tregoi për rehabilitimin e tij gjatë vizitës së Enver Hoxhës në qytetin e Pukës, por përsëri la pas vetes enigmën e mosdijes. Gjithçka ishte në natyrën e tij, hiqte diçka nga mjegulla e njëkohësisht hidhte pjesë të një mjegulle tjetër.

Bisedën për Katovicën, përmes një emri tjetër, e filloi poeti Frederik Reshpja, i cili erdhi pas meje, sëbashku me një emigrant nga Lezha, dhe pasi qëndroi diçka më shumë se një orë, u largua përsëri.

Frederiku, me të cilin ishim miq të hershëm, botonte dhe drejtonte aso kohe një gazetë të ashpër kundër qeverisë. Gazetës i kisha gjetur emrin unë, dhe financohej nga Partia Socialiste, më saktësisht nga Shaqir Vukaj, i cili drejtonte PS ne Shkodër. Frederiku e respektonte zotin Vukaj, marëdhënia mes tyre ishte jo e njëkahshme, ndoshta kjo e kishte bërë që ai, ish i burgour politik, të ishte ndër kandidatët e PS ne zgjedhjet e vitit 1992.

Frederiku, si ishte në stilin e tij, e pyeti drejtpërsëdrejti:

-“Përse e bëtë këtë zgjedhje, përse zgjodhët Nanon e Berishën për të drejtuar shtetin? Ishte idea juaj apo ju a dha dikush tjetër këtë ide?”

Zoti Alia nuk u përgjegj menjëherë. Ai kishte qëndruar pranë dritares dhe pasi u mendua pak, i tha se kjo ishte rastësi, se ai nuk kishte pasur asnjë mundësi zgjedhje, por koha kishte qenë përcaktuese.

Frederiku, përsëri i drejtpërdrejtë, nuk e la të mbaronte fjalinë e tij, e cila do të ishte edhe më e gjatë se zakonisht, sikur përmes fjalëve të fshihte diçka që e dinte vetëm ai, dhe e ndërpreu:

-Zoti Alia, këtu jemi mes miqve, jemi tek ju, nuk ka prerje në besë, kush tjetër mund ta bënte këtë në mos do e bënit ju vetë. Ju kishit gurin, kishit arrën, kishit fuqinë për të shtypur arrën. Mes gjithë të tjerëve, ju përcaktuar dy komunistë, njëri liberal, por vagabond, tjetri radikal, por dhunues. Çfarë marrëveshje keni bërë me to…”

Nuk do të zgjatem me dialogun mes tyre, i cili dukej si në një teatër absurd, sepse njëri pohonte, tjetri mohonte, me atë qasjen karakteristike të njerëzve që dinë më shumë se kaq e nuk mund ti thonë të gjitha. Më pas, Frederiku botoi diçka në lidhje me këto biseda, por përsëri ishte gjithçka e njëanshme.

Frederiku, së bashku me atë djalin lezhjan, emigrant në Itali, u larguan. Më kishte mbetur mendja tek ato që kishte thënë poeti i disaherë dënuar, një enigmë që përcillte gjithçka që po ndodhte dhe vetja më dukej naiv që gjithçka e kisha marrë shumë seriozisht, sa kisha rrezikuar edhe veten.

Përballë meje ishte njeriu që i dinte të gjitha, ndoshta edhe i kishte përgatitur vetë të gjitha ato që kishin ndodhur, por, si duket, ose i kishin dalë nga duart pejzat e lojës politike që kishte thurrur, ose kishte marrë një paralajmërim të ashpër që të heshtëte.

Me heshtjen si shenjë e mosndëshkimit do të ndeshesha edhe më pas, por asaj dite, pasi nuk kisha mësuar asgjë më shumë për ndodhinë me babain tim, ndonëse isha tek njëri nga miqtë e tij të rinisë, kisha ende diçka më tej se ajo që mund të quhet e imja, përsonale.

Nuk e dija ende përse më kishte thirrur, gjithë ajo që kishim biseduar deri atë moment kishte pasur lidhje me mua, me ndërprerjen që bëri ardhja dhe shkuarja e Frederikut dhe me enigmën që ishte krijuar.

Asaj dite, për herë të parë, pas më shumë se dy orëve, unë kisha një pohim, ndonëse jo të plotë, se gjithçka kishte filluar tek zyra e tij, në mendimin e tij dhe të dikujt tjetër që ishte shumë pranë tij. Ai nuk kishte pasur kurrë besim tek anëtarët e tjerë të udhëheqjes, i kishte mbajtur afër se kishte pasur droje fillimisht prej tyre, por pastaj nuk kishte gjetur rrugë tjetër për të qenë larg tyre, vetëm duke i joshur me premtimin se përsëri ato do të jenë aty, zot të fatit të vendit, jo vetë ata, por pinjollët e tyre, të afërmit, njerëzit që do të zgjidhnin vetë ata.

Ai vetë kishte menduar gjatë për këtë zgjedhje, për të pasur një rrugë krejt tjetër, disi të pamenduar nga të tjerët, por që ishte qartësisht e lexueshme në mendimin e tij.

E kisha pyetur përse shteti u shkërmoq ashtu, si një letër e vjetër, përse gjërat nuk kishin lëvizur më parë nga vendi, kur duhej të ishin lëvizur, përse një herë, në fjalimet e tij na jepte kumtin e shpresës se gjërat do të ndryshojnë, e disa ditë më pas, na sillte haberin e mosndryshimit.

Besoja se ai kishte diçka për mua, ndoshta kishte një nevojë për mua, jo si djali i Zenelit, por si një gazetar i njohur, i cili, për më tepër, edhe sapo ishte zgjedhur në organet e larta drejtuese të PS. Nuk e dija se çfarë mund të ishte e gjithë kjo, kur më në fund, ai më tha të dëgjoja disa biseda të inçizura mes tij dhe të disa prej atyre që më pas do të ishin në drejtimin e pluralizmit në Shqipëri.

Ishin biseda të zvarritura, ku kishte hutim, ngecje, ngurrim, por edhe besnikëri. Ishte përsëri diçka jashtë mendjes sime, kisha besuar sinqerisht se gjithçka po bëhej për të mirën e një vendi që sapo kishte dalur nga rrënonjat e një politike të prapshtë, kurse e vërteta ishte se nuk do të kishte ndërrim të qerres, por vetëm të kuajve që do e tërhiqnin atë.

Po rrija në atë dhomë të vogël, ku kishte vetëm një raft librash, një kanape tre vendëshe dhe një kolltuk, ku rrinte vetë Ai, dëgjoja fjalët e tij, të cilat nuk do të ishin të njëllojta me shpjegimet e mëpasme dhe kur do të largohesha më premtoi se shpejt, shume shpejt do të kisha një kopje të inçizimeve të bëra.

Kam qenë i bindur asaj dite, por jam i bindur edhe tash se, e gjithë ajo që donte të krijonte rreth vetes, ishte një mbështjelle mbrojtje, sepse tashmë lojërat e nisura prej tij, kishin dalur jashtë kontrollit, dhe gjithçka mund të binte mbi fatin e tij.

Një ditë më pas, ende nën ndjenjën e çuditshme të një takimi ku kisha shkuar me një shpresë tjetër, botova pjesë të bisedës sonë, pa e ditur se kjo kishte qenë një fragment i asaj që do të njihej nën okelion Katovica.

E gjithë kjo, tash, pas njëzet e ca viteve, do e kishte humbur rëndësinë e saj, nëse nuk do të ndodheshim para një Katovice të re, e cila, qofsha i gabuar, mund të jetë edhe më e rrezikshme se e para.

Kjo Katovicë e re mund të përmblidhet tepër shkurt nën pyetjen se kush e solli Lulëzim Bashën në politikën shqiptare, cila Katovicë e re u bë shkaku i kësaj ardhje, cila marrëveshje pret të zbulohet, cila enigmë fshihet pas saj.

Nëse më parë shumë gjëra kanë qenë lehtësisht të zbulueshme dhe tani janë tepër të besueshme, enigma e re ende nuk ka filluar të zbardhet, jo se kërkon kohë, por sepse edhe sot, sa herë që mund të ndodhe një gjë e re, nxirret nga sirtari fillesa e pluralizmit, e cila sado e prapshtë të ketë qenë, nuk është asgjë me atë që vjen në ditët e ardhshme.

Nga vjen e ku shkon Lulëzim Basha? Cila Katovicë e solli atë në politikën shqiptare? Katovica shqiptare apo serbe? Kjo është një temë tjetër, e cila nuk i takon këtij shkrimi…/ dita

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit