Rihapet debati. Qeveria ka miratuar në mbledhjen e sotme një projektligj në vijim të vendimit të vitit të kaluar që specifikon administrimin e objekteve të konfiskuara si ndërtime pa leje me qëllim përdorimin e tyre për interes publik apo strehim social, si dhe zbutjen e pasojave sociale të shkaktuara.
Pronarët e truallit, theksohet se nuk kanë të drejta mbi pjesën e objektit të ndërtuar në tejkalim të lejes. Pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës krijohet Komisioni i Objekteve të Konfiskuara. Komisioni, në funksion të miradministrimit të objekteve të konfiskuara apo në përmbushjen më të lartë të interesit publik, mund të vendosë miratimin e programit të shitjes së objekteve të konfiskuara.
Programi i shitjes së objekteve të konfiskuara kryhet nga ministria përgjegjëse për administrimin e pronës shtetërore, nëpërmjet strukturës përgjegjëse për shitjen e pronës publike. E ndërsa qeveria ka nxjerrë projektligjin për të përdorimin e kateve apo pallateve pa leje që janë ndërtuar, çështja është në Gjykatën Kushtetuese.
Partia Demokratike kërkon rrëzimin e vendimit të qeverisë për sekuestrimet dhe dënimin e oligarkëve, bosëve të ndërtimit që tejkaluan katet dhe nuk u ndëshkuan si pjesa tjetër e qytetarëve që dënohen për një tullë pa leje. (Projektligji i plotë)