Qeveria Rama shkrin Akademinë e Studimeve Albanologjike. Në mbledhjen e sotme këshilli i ministrave vendosi që zyrtarisht të miratonte projektligjin që e shkrin Akademinë e Studimeve Albanologjike duke e transferuar nën “sqetullën” e Akademisë së Shkencave që drejtohet nga Skënder Gjinushi. Ministrja e Arsimit, Evis Kushi që propozoi projektligjin listoi arsyet e këtij vendimi, që e cilëson riorganizim.
“Ka shumë shkelje. Akademia e Studimeve Albanologjike sot dhe asnjëherë nuk ka pasur asnjëherë fakultet. Nuk ka mësimdhënie. E bën të pamundur që të vazhdojë.
Së dyti është e pa akredituar. Të gjitha institucionet janë akredituar, akademia e Studimeve Albanologjike asnjëherë. Mosakreditimi e bën të pamundur që të jetë institucion i arsimit të lartë dhe të lëshojë diploma. Por ka lëshuar diploma në shkelje.
Akademia e Studimeve Albanologjike ka tetë vite që nuk regjistron asnjë student. Kjo i bën pasive të gjitha programet. Këto e bëjnë të pamundur ekzistencën e Studimeve Albanologjike.
Ka shumë probleme edhe në institutet e saj. Hierarkia është në shkelje ligjore. Nuk justifikojnë as ngarkesën mësimore dhe as pagën. Nuk kanë ngritur as audit të brendshëm.
Ne kemi një vendim të raportit të grupit të punës, ku shkeljet janë shumë të mëdha. Kështu që për këtë arsye ne sot po e riorganizojmë këtë akademi, duke vendosur institutet dhe njësitë e saj si njësi autonome pranë Akademisë së Shkencave.
Të gjitha të drejtat, pasuritë transferohen te ASH. Ata që bërtasin sot janë përgjegjës që e kanë lejuar akademinë të jetë në paligjshmëri. Jam krenare që po marrim hapin e duhur” tha Kushi.
Por kur u pyet nëse shkeljet do të çohen në prokurori, Kushi e shmangu. “Qëllimi ynë nuk është që të nxjerrim fajtorët, por duam që albanologjia të zërë vendin që meriton” tha ajo.